Shpërthen babai i Valon Berhamit: Ma larguan djalin në mënyrë jonjerëzore me urdhër të…

131
SHARE

Valon Behrami me një telefonatë të vetme u njoftua se nuk i duhet më Kombëtares së Zvicrës. Telefonatën e kishte marrë nga njeriu të cilin e kishte shpëtuar pa u shkarkuar, Vladimir Petkoviç.

Këtë urdhër boshnjaku e kishte marrë nga shefat e tij, presidenti dhe sekretari gjeneral i Federatës së Futbollit të Zvicrës, me të cilët Valoni ishte përplasur keq, kur ata kishin kërkuar prej futbollistëve që të përcaktohen për një shtetësi të vetme.

Kjo për shkak se shqiponja dykrenare e Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës për federatën zvicerane nënkuptonte dyshtetësi.

Babai i Valon Behramit, Ragipi, në një intervistë për “Zërin” i zbulon të gjitha ndodhitë e fundit në kampin helvetik, të cilin e akuzon se për shkaqe politike ia larguan në mënyrë poshtëruese djalin i cili ka 20 vjet që i shërben me zemër e shpirt shtetit helvetik.

Vetëm para pak javësh zviceranët shprehnin nevojën për t’i pasur 11 Valon Behram’a në përfaqësuesen e tyre.

Kjo ishte mënyra më e mirë për helvetikët që të shprehnin mirënjohje për Valon Behramin, i cili arriti ta mbajë në “xhep” futbollistin më të shtrenjtë në botë, Neymarin, të cilin nuk e lejoi ta ndihmoi Brazilin në ndeshjen me Zvicrën në Botërorin “Rusia 2016”.

Por, tani Zvicra e humbi edhe të vetmin Valon që e kishte. Madje, këtë e bëri në mënyrën më të turpshme të mundshme.

Njeriu që thurte lavde për Behramin në Botëror, trajneri Vladimir Petkoviç, të hënën e kishte telefonuar futbollistin kosovar për t’ia kumtuar lajmin se skuadra zvicerane nuk llogarit më në shërbimet e tij.

Kjo është mënyra më e keqe e mundshme për t’u ndarë me një futbollist që shkruan histori me Kombëtare.

Vetë Valon Behrami ka shprehur mllefin ndaj kësaj sjelljeje të Zvicrës karshi tij.

Këtë e ka bërë shkurtimisht për mediat e Zvicrës, të cilave u ka thënë se largimi i tij nga përfaqësuesja zvicerane është krejtësisht politike.

Por, pa dhënë shpjegime tjera. Mirëpo, rreth kësaj çështje që është bërë temë debati në Zvicër ka folur gjerë e gjatë babai i Valonit, Ragip Behrami, në një intervistë për “Zërin” e Kosovës.

“Menjëherë pas Botërorit, Valoni e ka paralajmëruar largimin nga përfaqësuesja e Zvicrës.

Ai dëshironte të largohej kryesisht për arsye familjare, por edhe ndihej i lodhur dhe dëshironte që vitet e fundit të karrierës si futbollist aktiv t’i përqendrohej klubit. Mirëpo, zviceranët kanë qenë kategorikisht kundër dhe nuk e kanë pranuar largimin e tij. Ndërsa tani e larguan në mënyrën më të keqe, në mënyrë jo njerëzore”, ka deklaruar Ragip Behrami.

Sikurse Valon Behrami, edhe babai i tij, Ragipi, insiston se largimi i 33-vjeçarit nga përfaqësuesja zvicerane ndërlidhet me çështje politike.

Në kampin e Zvicrës në Botëror ishin shfaqur dallimet e përkatësive kombëtare. Sidomos te futbollistët shqiptarë – Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri. Këta dy të fundit i kishin festuar me shqiponjën dykrenare golat e fitores prej 2:1 ndaj Serbisë.

Mënyra e festimeve të tyre, të cilave u ishin bashkuar edhe Behrami, Xhemaili, por edhe lojtarë tjerë zviceranë, kishin bërë jehonë në gjithë botën.

UEFA i kishte dënuar me të holla të dy kosovarët e Zvicrës për shkak se serbët ishin ankuar dhe ishin ndjerë të provokuar.

Drejtuesit e futbollit zviceran ishin munduar ta qetësonin situatën për shkak se ishin të fokusuar të arrinin sukses me skuadrën e tyre. Mirëpo, menjëherë pas kthimit nga Rusia në Zurich, drejtuesit e Federatës së Futbollit të Zvicrës kishin filluar të kërkonin nga futbollistët e tyre të përcaktoheshin për një shtetësi të vetme. Behrami dhe futbollistët tjerë shqiptarë e kanë vetëm nga një pasaportë – atë zvicerane.

Por, shqiponja e tyre dykrenare kuptohej si dyshtetësi për presidentin Peter Heinrich Gillieron dhe sekretarin gjeneral, Alex Miescher. Me këtë të fundit rreth kësaj çështje ishte përplasur Behrami, i cili nga zviceranët është parë si “kapiten” i grupit të futbollistëve shqiptarë brenda përfaqësueses së Zvicrës.

“Federata e Zvicrës pati shkuar shumë larg duke e çuar çështjen e dyshtetësive deri në Parlamentin e Zvicrës. Ndaj, Valoni e ka pas një zënkë me sekretarin e përgjithshëm. Valoni ka qenë i zemëruar me paragjykimet e njerëzve si sekretari gjeneral, i cili është marrë me çështje të tilla përkundër faktit se Valoni dhe futbollistët tjerë shqiptarë e kanë dhënë maksimumin për skuadrën e tyre”, shpjegon Ragip Behrami për “Zërin”.

“Andaj, Vladimir Petkoviç vetëm e ka zbatuar një urdhër që ia kanë dhënë shefat e tij, presidenti dhe sekretari gjeneral i federatës, duke e thirr Valonin për t’i treguar se i janë mbyllur dyert e skuadrës”, shton ai.

Ragip Behrami thotë se trajneri Vladimir Petkoviç nuk donte t’i bindej me lehtësi urdhrit të presidentit dhe sekretarit gjeneral të federatës për ta larguar përmes një telefonate të vetme.

“Me Petkoviçin jemi hidhëruar për shkak se ia ktheu me të keqe një të mirë që ia pati bërë Valoni. Trajnerin boshnjak patën dashur ta largojnë nga posti i selektorit të Zvicrës ndërsa Valoni e ka mbështetur dhe ka punuar në interes të tij, pra që ta mbetet trajner i Zvicrës”, shprehet babai i futbollistit në bisedën me “Zërin”.

Lider i Zvicrës në katër Kampionate Botërore, gjë që nuk e ka bërë asnjë futbollist tjetër zviceran, e që në fakt nuk arrijnë ta bëjnë shumë futbollistë tjerë të klasit botëror.

“Pikërisht prej kohës së angazhimit të Valonit, Blerim Xhemailit, Zvicra kishte nis të përparojë. Aty kishte nis ngritja, e cila vazhdonte të rritej edhe me ardhjen e Xherdan Shaqirit, Admir Mehmedit, Granit Xhakës, Pajtim Kasamit, i cili në moshën më të mirë u pati lënë jashtë. Sot Zvicra është e gjashta në botë”, shprehet Ragip Behrami.

“Natyrisht se kemi biseduar shumë me Valonin rreth kësaj çështje. Ai nuk është mërzitur që është larguar, por ndihet i nervozuar me mënyrën e largimit sepse ai edhe vet ka dashtë të largohet, por nuk e kanë lënë. Mirëpo, Valoni më tha: ‘Babi, unë do të ndihesha keq sikur të më largonte futbolli, sikur të më largonin për mosangazhim. Por, kur po e di se çka kam bërë për Zvicrën, por ndihem krenar. Nuk po mërzitem që më largoi politika”, tregon Ragipi.

Ai thotë se djali i tij është dashtë të pensionohet nga Kombëtarja përmes një respekti dhe përmes një ndeshje lamtumirës për kontributin e dhënë me zemër e shpirt.

“Ne nuk pendohemi për krejt atë që e kemi dhënë qe 20 vjet për Zvicrën. Zvicra ka dhënë shumë për djalin tim, familjen time, Kosovën dhe gjithë shqiptarët. Kështu që për dy-tre individë që e bënë krejt këtë poshtërsi nuk e përfaqësojnë një Zvicër të tërë. Tifozët janë me ne dhe po i thonë “marre” këtij veprimi të federatës zvicerane”.

Përpos Valon Behramit, Zvicra ua ka bërë me dije edhe tre futbollistëve tjerë që nuk llogaritë më në shërbimet e tyre. Fjala është për Blerim Xhemailin, Gelson Fernandezin, Johan Djoroun dhe Setephan Lichtsteinerin

Na ndiqni në Facebook për lajmet e fundit.