Makthi i Van Dijk: Në 2012-ën rrezikova vdekjen

45
SHARE

Virgil van Dijk ka shkruar historinë e futbollit. Në 2018-ën është larguar nga Southampton për të shkuar te Liverpool, duke u bërë mbrojtësi më i paguar i të gjitha kohërave dhe pranverën e kaluar ka shkuar një hap larg triumfit në Champions League.

Siç ka bërë të ditur “Mundo Deportivo”, kur luante në Holandë me Groningen, disa vite më parë, qendërmbrojtësi ka rrezikuar seriozisht jetën dhe vetëm duke kaluar një provë të madhe si ajo ka arritur të bëhet lojtari që është sot.

Viti i frikës së madhe ka qenë 2012-a. Lojtari, në fakt, filloi të ndiente një dhimbje në lartësinë e muskujve të barkut, por mjekët nuk kanë ditur të japin një shpjegim për një kohë të gjatë, deri në atë pikë sa Virgil ka rrezikuar jetën. Shpëtimi ka ardhur nga një njeri i afërt. Pas një vizite të kotë në spital, Van Dijk u kthye në shtëpi, por dhimbja filloi të shtohej.

Mamaja, e shqetësuar, vendosi ta dërgonte te një klinikë tjetër dhe ky vendim ka qenë jetik, siç ka bërë të ditur edhe trajneri i rezervave të Groningen, Dick Lukkien, në një intervistë të dhënë për “Four Four Two”. Mbrojtësi u operua me urgjencë për të kuruar problemet me apandesitin, peritonitin (infeksion në pjesën e barkut) dhe një infeksion në veshkë.

Rehabilitimi ka qenë i gjatë, me lojtarin që ka qëndruar larg fushave për dy muaj. Por pa ndërhyrjen e mamasë ka shumë mundësi që ai të mos ishte kthyer kurrë më në fushë. Holandezi i kujton akoma ato momente:

“Mbaj mend që u shtriva në krevat. Gjithçka që mund të shihja ishin tuba rreth meje. Trupi ishte i drobitur dhe nuk mund të bëja asgjë. Në një moment të tillë mendon vetëm për keq. Jeta ime ishte në rrezik”. Por, fatmirësisht, falë ndërhyrjes së mamasë gjithçka ka shkuar mirë.

Na ndiqni në Facebook për lajmet e fundit.