Flamurtari me dy mungesa, Daja: Ndaj Partizanit vetëm për fitore…

11
SHARE

Humbja më Skënderbeun ka lënë shije të hidhur të Flamurtari.

Trajneri i kuqezinjve, Ilir Daja në prag të ndeshjes së sotme kundër Partizanit analizoi gjithçka nuk shkoi mirë të hënën që kaloi, por duke gjetur edhe anët pozitive në lojën e skuadrës së tij.

“E kemi analizuar në detaje ndeshjen me Skënderbeun. Nuk kemi bërë gjithçka gabim, deri në minutën e 75-të kundërshtari nuk erdhi në portën tonë, pavarësisht se kishte kontrollin e topit. Nuk bëmë mirë në fazën sulmuese. Jemi në vendin e dytë dhe kampionati ka luajtur vetëm 4 javë. Këtu jemi të gjithë të rinj, nuk e kam fjalën nga mosha, por nga koha që kemi patur në dispozicion”, tha fillimisht ai.

Gjithsesi, pas asaj humbjeje, skuadra ka nevojë për tifozët dhe Daja nuk ngurron t’u bëjë thirrje mbështetësve që të vazhdojnë ta përkrahin ekipin dhe pas një disfate të tillë.

“Ashti siç gëzohemi kur marrin fitoret, i kërkoj publikut që të vuajmë bashkë. Në emër të ekipit më duhet t’u kërkoj ndjesë dhe t’i ftoj që të jenë të pranishëm në çdo ndeshje, janë lojtari ynë i 12-të”, vijoi ai.

Ndaj Partizanit, kalendari propozon një tjetër sfidë të vështirë, por Daja nuk bën kompromis me rezultatin, pasi Flamurtari i tij ka vetëm një objektiv, të fitojë.

“Kjo ndeshje i ka të tre rezultatet brenda, por të paktën në mendësinë time, por edhe të Flamurtarit dhe këtij qyteti, shkojmë për fitore në çdo ndeshje”, përfundoi ai.

Në ndeshjen ndaj të kuqve Daja konfirmoi se nuk do të ketë shërbimet e Allës dhe Hysenit.

Na ndiqni në Facebook për lajmet e fundit.