Bristol synon arritjen historike ndaj Man City

43
SHARE

Bristol City shpreson të shkruajë historinë në ndeshjen që do të luajë të martën në mbrëmje kundër Manchester City në shtëpi, e vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës së Ligës së Anglisë.

Vendasit nuk janë kualifikuar kurrë në finalen e këtij kompeticioni, por duke parë se ata kanë eliminuar katër ekipe të Premier League deri tani, morali i lojtarëve të Lee Johnson do të jetë i lartë para kësaj sfide.

Vendasve do t’u mjaftonte një gol për të realizuar arritjen historike, duke parë se ndeshja e parë, e luajtur në “Etihad” është mbyllur 2-1 për “Qytetarët”.

Pjesëmarrja në Kupën e Ligës duket se ka pasur një efekt negativ te skuadra e Championship, që ka pësuar tri humbje dhe ka marrë një barazim në katër ndeshjet e fundit të kampionatit, ku ndodhet në vendin e pestë në kuotën e 48 pikëve, 5 larg vendit të dytë që siguron ngjitjen në Premier League.

Ndërkohë, Manchester City do të vijë në takimin e sotmë pas një fitoreje bindëse 3-1 të marrë në kampionat kundër Neëcastle.

Sergio Aguero ka qenë protagonisti i atij takimi me tre gola, që kanë ndihmuar ekipin e Pep Guardiola të harrojë humbjen 4-3 të pësuar kundër Liverpool një javë më parë.

Kjo fitore e ka ndihmuar City-in të ruajë avantazhin prej 12 pikësh ndaj Manchester United të vendit të dytë në kampionat. Gjithsesi, ata nuk kanë luajtur shumë mirë në ndeshjet e fundit që kanë luajtur në transfertë, duke mos marrë asnjë fitore në dy ndeshjet e fundit të luajtura larg shtëpisë.

Shifra dhe Fakte

– Këto dy skuadra janë përballur më parë në të njëjtin kompeticion në 2007-ën, me Manchester City që ka fituar 2-1 ndeshjen që është luajtur në fushën e Bristol.

– Skuadra e Guardiola-s ka realizuar të paktën tri gola në katër nga pesë ndeshjet që ka luajtur në 2018-ën.
– Manchester City ka pësuar gola në pesë ndeshjet e fundit që ka luajtur në të gjitha kompeticionet, një ecuri kjo që bën të shpresojë Bristol./Telesport/

Na ndiqni në Facebook për lajmet e fundit.